Nuk do të ketë tërmet me pasoja katastrofike
Prishtinë, 10 mars – Në Kosovë nuk do të ketë tërmet me pasoja katastrofike, i ka thënë sot Radio Dukagjinit Slavica Radovanoviq, drejtoreshë e Institutit Sizmologjik të Serbisë, e cila ditë më parë kishte paralajmëruar se në Rrafshin e Dukagjinit po akumulohet energji sizmike.
Paralajmërimet që ka bërë Instituti Sizmologjik i Serbisë për akumulim të energjisë sizmike, sipas drejtoreshës së këtij Instituti, mbështeten në kërkimet që janë kryer brenda disa viteve. Sipas saj, këto paralajmërime janë hiperbolizuar nga mediat. “Do të thotë nuk duhet tepruar, nuk parashihet ndonjë katastrofë si po i shohim tash nëpër vise tjera të botës, asgjë të tillë nuk parashohim, do të thotë se në Dukagjin nuk mund të ndodhin tërmete me pasoja katastrofike”, transmeton Telegrafi.
Radovanoviq tha se matjet do të vazhdojnë dhe më vonë mund të konkludohet nëse tërmeti që ndodhi sot ishte ai kryesori, për të cilin Instituti që ajo drejton kishte paralajmëruar.
“Bazuar në matjet që do t’i bëjmë ditëve në vijim, do të mund ta parashikojmë se a ishte ky tërmeti kryesor apo mund të ketë edhe një tërmet diç më të fuqishëm”, ka deklaruar ajo.









