Meta në Beograd
Gjatë vizitës së tij dyditore në Beograd, pritet që Meta të takojë zyrtarët serbë, me të cilët do të bisedohet“ për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, për stabilitetin e rajonit dhe për integrimin e vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian”, u shpreh Dervishaj për agjencinë AFP. Agjencia franceze e lajmeve pohon se temë e bisedimeve me palën serbe do të jetë edhe Kosova, duke përkujtuar se vizita e Metës paraqet vizitën e parë të një zyrtari shqiptar të këtij niveli në Beograd që nga viti 2005, kur me zyrtarët e atëhershëm serb në Beograd ishte takuar ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Kastriot Islami.
Zëvendëskryeministri shqiptar, Ilir Meta do të qëndrojë në Beograd të enjten dhe të premten. Ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Boris Tadic, me zëvendëskryeministrin Bozhidar Gjeliq dhe me shefin e diplomacisë së Serbisë, Vuk Jeremiq.
Sipas asaj që raportojnë mediat serbe, Ambasada e Shqipërisë në Beograd ka njoftuar se, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Meta do të marrë pjesë edhe në komemoracionin me rastin e përvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq.









