Kuinti demanton se Thaçit i kërkohen ndryshime, gazeta mbetet pranë stories
Prishtinë, 10 mars – Kuinti ka parë raporte në mediume me burim individë të paemëruar, të cilët pohojnë se i deklarojnë pikëpamjet apo qëndrimet e Qeverive të Kuintit.
Kuinti dëshiron të qartësojë në emër të vet – shteteve të veta – se ata nuk i kanë prezantuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, dëshmi apo të dhëna të inteligjencës lidhur me veprimet e supozuara korruptuese të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Kuinti, po ashtu, dëshiron të qartësojë se nuk iu ka drejtuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, për të kërkuar ndërrime në Qeverinë e tij. Shtetet e Kuintit konsiderojnë se kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe e partnerëve të tij të koalicionit.
Shtetet e Kuintit ripohojnë përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e zgjedhur të Kosovës për të avancuar interesat e shtetit dhe për të shty përpara qeverisjen e mirë.
Sqarim i Kohës Ditore
Koha Ditore, me gjithë demantin dhe ndonëse në të nuk përmendet kjo gazetë, sqaron se burimet e informatës janë plotësisht të besueshme dhe se qëndron pranë shkrimit të botuar të mërkurën: “Thaçit i kërkohet shkarkimi i një ministri”.









