• Kosovalbaner.Com

Grupi “Iliret” se shpejti ne turne live

This item was filled under [ VIP etj ]

Përveç vrapimit të përditshëm në parkun “Gërmia” në Prishtinë, gati çdo moment i ditës së liderit të grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi, kalon në studion e tij muzikore. Tash e një muaj kanë filluar provat intensive për një projekt, siç thotë Shemi, shumë të madh, ndërsa projekti në fjalë duket se do të jetë “live”, në çdo cep ku do të realizohet. “Jemi duke ushtruar me orkestrën tonë. Ka një muaj që jemi shumë aktivë në studion muzikore. Jemi duke ushtruar të gjitha këngët e grupit “Ilirët” dhe do të ushtrojmë edhe më shumë, e sigurisht që ato do të interpretohen gjallë”, kështu thekson Shemi për “Infopress”, ndërsa bën me dije se aktivitetet për këtë projekt sa vinë e shtohen.

Nuk do të ketë album!

“Nuk do të ketë asgjë ‘play beck’. Që të gjithë anëtarët e grupit jemi fokusuar në këtë drejtim. Çdo gjë do ta interpretojmë gjallë, dhe asgjë nuk do të shkojë ndryshe”, thekson këngëtari, duke bërë me dije se ky angazhim aktual do të pasojë me disa koncerte, e që pikërisht ky projekt t’i dërgojë ata drejt skenave muzikore, vendore e më gjerë, përmes një turneu mjaft të madh. “Besoj që do të jetë një turne madhështor, sepse tashmë kemi ushtruar në interpretim dhe i kemi përpunuar këngët, e që besoj se do të dalin shumë bukur. Mezi pres të nisim me këtë projekt. Do të na duhen edhe 15 apo 20 ditë që gjithçka të përfundohet dhe do të vazhdojmë turneun, që e kemi ushtruar”.

I pyetur për datën e saktë se kur do të fillojë çdo gjë rreth këtij turneu, Shemi përmend 1 prillin, datë kjo që lë mjaft për të dyshuar për faktin se njihet si dita e gënjeshtrave. Por, Shemi me premtimin e tij bën me dije se ka qenë rastësi kur kanë vendosur që pikërisht këtë ditë të nisin me turneun “e vërteta është se ai do të nisë më 1 prill”, thekson ai.

“Nuk do të shkojmë me album. Ne kemi albumin tonë “Xhamadani vija, vija” përkatësisht “Heroi”, dhe ai asnjëherë nuk është interpretuar në koncert ‘gjallë’. Pse t’i lodhim me këngë të reja, kur kemi këngë tonat të realizuara më herët dhe nuk janë dëgjuar, veçanërisht nga gjeneratat e reja”, shton këngëtari, ndërsa thekson se “mundësia e vetme tash për tash është të incizojmë ndonjë këngë të re dhe ta lansojmë me klip, por më nuk do të ketë albume, sepse nuk ta editon askush dhe nuk të paguan askush”.

Një koncert vetëm me “Ilirët”

Përveç ushtrimeve me këngët e tyre të mëparshme, Shemi bën me dije se është duke realizuar edhe një duet me këngëtaren Ganimete Abazi, e njohur për publikun më shumë si Ganja, e cila njëherësh do të jetë edhe bashkëkëngëtarja e tij në gjithë turneun muzikor të “Ilirëve” . “Do të jetë një përpunim i një këngës sonë. Do të jetë befasi.

Aktualisht jemi të fokusuar vetëm rreth turneut. Shpesh them se ata njerëz që nuk kanë pasur rast t’i shohin “Ilirët” në një koncert ‘live’, ata nuk i njohin “Ilirët”. Jemi të hatashëm me koncerte ‘live’. Këtë më së miri e di diaspora jonë”, thekson për fund Shemi, ndërsa bën me dije se ata nuk do të kenë të ftuar ndonjë grup tjetër muzikor, apo ndonjë këngëtar. “Ne “Ilirët” gjithmonë jemi vetë nëpër koncerte dhe asnjëherë nuk kemi të ftuar. Arsyeja është se atëherë ngatërrohemi. Nuk dihet se kush për kë po vjen në atë koncert”./infopress/kosovalbaner.com/

You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0 feed. You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Comment

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com