Agim Gërguri: Në “VIP shpija e Kosovës” për dy arsye
Një tjetër “Shpi e Kosovës”, do t’i hapë dyert për banorë të rinj. E kësaj radhe nuk do të jenë njerëz nga shoqëria civile, por aktorë e këngëtarë nga disa treva shqiptare. Në mesin e disa emrave tashmë të bërë publik, do të jetë edhe rok këngëtari ynë i njohur Agim Gërguri. Gjatë një bisede që “Infopress” zhvilloi me banorin e ri të “VIP shpija”, përkatësisht Agimin, mësuam edhe arsyen primare pse ai vendosi t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. “Është humanitare kjo iniciativë, e normal që nuk refuzohet një gjë e tillë”, kështu shprehet vokalisti nga rok grupi “Fisnikët”, ndërsa bën me dije se arsyeja e dytë e pjesëmarrjes në këtë spektakël janë edhe aktorët e zgjedhur për këtë “lojë”, e cila njëherësh do të sjellë në fund një ndihmë për një familje nevojtare.
Do të jemi po ata që jemi në të vërtetë
“Përveç se kjo është një mision human, e që këtë nuk do ta refuzoja asnjëherë, pjesë e kësaj shpije janë disa aktorë të zgjedhur, dhe jemi të gjithë që njihemi”, tregon Agimi, ndërsa shton se sikur të mos ishte një organizim në nivel me njerëzit e duhur, ndoshta edhe nuk do të shkonte. “Po sikur të kish qenë dikush krejt i panjohur dhe me më thanë a po vjen, normal se nuk kisha shkuar kurrë. Jo se nuk është në nivel, por nuk do të shkoja. Por, pasi që janë këta aktorë, normal që kam pranuar pa asnjë dyshim, duke mos lënë anash misionin human që synohet përmes kësaj iniciative”.
Të vëzhguar në çdo moment nga kamerat, duke filmuar çdo gjë që do të jetohet në “VIP Shpija”, banorët VIP do të jenë çdo herë të ndjekur nga publiku jashtë, dhe fansat e tyre. E kjo sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për ta, ndërsa do të vëzhgohen me aq përpikëri, veçanërisht duke pasur parasysh profesionin që kanë.
Por, se a do të ketë ndonjë lojë që Agimi do ta zhvillojë brenda mureve të “VIP shpija”, protagonisti në fjalë mohon të praktikojë diçka të tillë, ani pse këto “shtëpi” tashmë njihen më shumë për mënyrën e lojës nga banorët në to. “Do të jemi vetvetja more. Do të ketë humor dhe gjithçka tjetër që na karakterizon neve, duke u nisur nga Stupcat, Fatos Kryeziu dhe unë. Do të jemi ata njerëz që edhe jemi paraqitur gjithnjë para ekranit, gjatë intervistave”, shton Agimi, i cili përveç për talentit si këngëtar, njihet edhe për dellin e humorit që ka.
E pse ta kem vështirë?!
I pyetur se a do ta ketë të vështirë të lë për një muaj rresht gjithçka që përkufizon përditshmërinë e tij, derisa do të “ngujohet” dhe të qëndrojë larg nga gjithçka që është mësuar ta jetojë me ditët që kalojnë, këngëtari mohon një gjë të tillë. “E pse ta kem vështirë?! Për mua është njëfarë joshje. Unë çdo herë i pranoj sfidat, pa asnjë dyshim. Kam qejf me pa se çfarë po ndodh. Jam njeri i aventurave jetësore dhe besoj që do të jetë interesant. Kështu që edhe vëzhgimi gjatë gjithë kohës, nuk më brengos. E natyrisht, ne gjeste palidhje nuk mund të bëjmë aty, sepse jemi familjarë, por edhe nuk është në natyrën tonë. Por, gjithsesi më shumë do të ketë rol edukativ dhe do të mundohemi sa më shumë të japim momente të mira edukative”, bën me dije Agimi.
Këngëtari premton se do të sjellin momente edukative e morale, madje gjatë bisedës nuk e lë pa vlerësuar lartë edhe banorët e “Shpisë së Kosovës”, për moralin, që sipas tij, kanë treguar gjatë qëndrimit të tyre atje. “Mua më kanë lënë përshtypje këta që ishin në “Shpija e Kosovës”, për nga morali. Për të tjerat, kanë qenë aq sa kanë ditur, por për nga morali kanë qenë shumë të mirë dhe kanë treguar një nivel shumë të lartë të moralit. Ne të Kosovës në këtë drejtim jemi shumë më mirë, krahas disa vendeve tjera të Ballkanit. Sado-kudo e kemi një moral, që na mbanë, na ruan!”, vlerëson këngëtari.
E sa i përket një honorari që thuhet se banorët do ta marrin, Agimi nuk është në dijeni për një gjë të tillë, ani pse edhe ai vetë ka dëgjuar zëra që flasin për një gjë të tillë, “për shuma nuk kemi folur. Nuk po di! Kam dëgjuar edhe unë do llafe, por jo, nuk e di. Veç mundem me të rrejt”, thotë ai për fund.










