Home » Lajme » Maqedonia »

VMRO e BDI fitojnë parlamentin, Ivanov rizgjidhet president

 

SWVMRO DPMNE-ja te maqedonasit dhe Bashkimi Demokratik për Integrim te shqiptarët janë fituesit absolut të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ndërsa veç kësaj, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar edhe zgjedhjet për presidentin e shtetit.

Kandidati i VMRO DPMNE-së, presidenti aktual Gjorge Ivanov, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, është rizgjedhur në këtë post pas fitores së mbi 55 për qind të votave kundrejt kandidatit të Lidhjes Social Demokrate të opozitës, Stevo Pendarovski, i cili ka marrë 44 për qind të votave.

Në zgjedhjet për presidentin kanë votuar 53.15 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, duke u evituar kështu dështimin i zgjedhjeve për shkak të bojkotit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Në zgjedhjet parlamentare, nga 123 deputetë sa numëron Kuvendi, VRMO DPMNE-ja ka fituar 62 deputetë, LSDM-ja 34, BDI-ja 18, PDSH-ja 7deputetë, ndërsa nga 1 deputet dy parti më të vogla.

“Do të jem president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht se për kë kanë votuar, si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët, turqit, vlleh, serbët, romët e të tjerët. Do të punojmë për realizimin e të gjitha premtimeve, për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, do të punoj për një Maqedoni të dashur nga të gjithë“, ka deklaruar presidenti i zgjedhur, Gjorge Ivanov.

Ndërsa, kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski është shprehur:

“VMRO-DPPMNE mori mbështetjen e mbi 450 mijë qytetarëve të Maqedonisë, 62 deputetë. Kjo është fitore e fuqishme, mbështetje e fuqishme nga qytetarët e Maqedonisë. Në këto zgjedhje fitoi koncepti i një pune të palodhshme, koncepti i fjalës së dhënë, koncepti përkushtimit dhe i qasjes së sinqertë ndaj problemeve, që përballen qytetarët, fitoi koncepti që realizon premtimet dhe që hap vende të reja punës, koncepti që punon për integrimin e vendit në NATO dhe BE”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti, ka thënë se fitorja e partisë së tij është më e madhja që nga dalja e saj në skenën politike pas konfliktit në vitin 2001. Ahmeti ka premtuar realizimin e programit zgjedhor, e para së gjithash integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Bashkimi Demokratik për Integrim ka program, ka platformë, ka ofertë që ky vend të dalë nga status quo-ja dhe të bëjë hapat e duhur në drejtim të pritjes së madhe që ky vend sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme, sepse kështu sigurohet një ardhmëri e sigurt dhe e qëndrueshme për të gjithë qytetarët“, është shprehur Ahmeti.

Por, procesi zgjedhor dhe rezultatet e tij nuk njihen nga opozita maqedonase.
Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev ka thënë se zgjedhjet janë përcjellë me parregullsi, kërcënime e frikësime të shumta andaj edhe për opozitën zgjedhjet janë të paligjshme.

“Në emër të mbrojtjes së demokracisë, të drejtave dhe vlerave civilizuese, zgjedhjet e këtilla kriminale nuk i pranojmë. Kërkojmë formimin urgjent të një Qeverie teknike, e cila do të mundësonte mbajtje të zgjedhjeve normale presidenciale dhe parlamentare. Nuk ka asnjë ligj që pushteti nuk e ka shkelur. Në këto zgjedhje Qeveria ka kontrolluar çdo qytetar të saj. Pa zgjedhje të lira, nuk ka liri dhe demokraci. Lufta jonë do të vazhdojë” , ka deklaruar Zaev.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare ka vërejtje ndaj procesit zgjedhor. Kryetari i saj, Menduh Thaçi, ka thënë se njeh vetëm rezultatet ku partia e tij ka dalë fituese, ndërsa është shprehur i bindur se do të jetë pjesë e ekzekutivit.

“Rezultati është i kënaqshëm, shumë i mirë për PDSH-në, ndërsa BDI-së i themi mos festojë kot sepse s’e kam ndërmend t’ua pranoj rezultatin, i cili vazhdon t’i ngjajë Koresë Veriore. Të dashur shqiptar unë me ta nuk dëshiroj të bëj luftë civile, por rezultatin nuk ua pranoj. Ato janë vota të vjedhura. Ne kemi fituar 8-9 deputetë, mjaftueshëm për të qenë në Qeveri”, ka theksuar Thaçi.

Rezultati i zgjedhjeve nuk pranohet as nga Rilindja Demokratike Kombëtare eRufi Osmanit, e cila ka fituar një deputet.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se zgjedhjet kanë qenë të organizuara mirë dhe se pjesëtarët e saj nuk kanë regjistruar asnjë incident, i cili do të prishte procesin zgjedhor.

 

 
 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com