Home » Lajme » Kosova »

Fillon paraqitja online e provimeve


 

main_Kartela_studentore_-_28_korrik_2012-d.b.Gjashtëmbëdhjetë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës (UP) janë inkuadruar në sistemin online për t’iu mundësuar paraqitjen e provimeve studentëve në formë elektronike. Në këtë sistem, janë përfshirë studentët e viteve të para që kanë bërë regjistrimin po ashtu sipas aplikimit online.

Studentët do të kenë mundësi deri të dielën në orën 16:00, (20 janar), të paraqesin provimet përmes internetit. Pra, edhe një ditë para mbajtjes së provimit ata mund të paraqesin provimet që duan t’iu nënshtrohen, mjafton që kudo që ndodhen të kenë qasje në internet.

Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit (TI) e UP-së ka bërë të ditur se deri në orët e pasdites së të mërkurës kanë paraqitur provimet online 5.500 studentë. Këtë mundësi për të paraqitur provimet do ta kenë edhe studentët e vitit të parë të studimeve master. UP ka hequr nga përdorimi indeksat për fillestarët (brucoshët).

Të gjithë studentët e regjistruar në vitin e parë, janë pajisur edhe me ID kartelat, me përjashtim të rasteve që janë vonuar apo kanë ndërruar drejtimin. Drejtori i Teknologjisë së Informacionit, Isak Shabani, ka theksuar se në faqen elektronike të UP-së si dhe të çdo njësie akademike është vendosur linku -Manuali për paraqitjen e provimeve për studentët, përmes të cilit studentët njoftohen si të paraqesin provimet.

“Secili student duhet të bazohet në të për të bërë paraqitjen e provimit”. Studenti ka tri pika ku orientohet për të bërë aplikimin online: regjistrimin e lëndëve obligative, regjistrimin e lëndëve zgjedhore dhe paraqitjen e provimeve. Secila nga këto tri nënvizime që studenti duhet të kalojë nëpër to, bëhet pasi studenti kyçet në kartelën e tij (ID kartën) për të cilën ai posedon dhe fjalëkalimin (paswordin).

Shabani tha për “Zërin” se deri pasdite janë plotësuar 30 mijë fletëparaqitje online, kanë aplikuar gjithsej 5.500 veta dhe se ky sistem ka treguar efikasitet. Megjithëkëtë, ai nuk ka mohuar se rrjeti për të paraqitur provimet ka qenë më i ngadalësuar, por për këtë ka bërë thirrje që studentët të mos vonohen shumë derisa bëjnë paraqitjen e provimit.

“Studentët veprojnë pa u bazuar në manual dhe ngarkojnë vetë rrjetin duke mos e pasur të qartë si të aplikojnë”. Tani, ai tha se secili profesor e merr listën me emrat e studentëve në sistem pak para se të hyjnë në provim, duke e ditur dhe sa studentë ka në sallë.

Ndërsa, të gjithë të regjistruarit në UP para vitit 2012/2013 (përjashtuar vitin e dytë të Filozofikut që vitin e kaluar ishte pilot projekt), do të paraqesin provimet, sipas mënyrës së mëparshme te referentët, në sportele të njësive akademike.

Nga ana e tij, Parlamenti Studentor digjitalizimin e UP-së e ka quajtur nismë të mbarë për këtë universitet, por udhëheqës të tij kanë kërkuar më shumë përkujdesje që ky sistem të mundësojë qasje të menjëhershme të studentëve në proces-fletëaplikime.

Arian Janova, përfaqësues i PS-së ka thënë për gazetën se rrjeti online rezulton jo rrallë të jetë i ngarkuar duke bërë që një student të pres për të bërë paraqitjen e provimit. Janova tha se Rektorati duhet të evitojë disa probleme teknike me rrjetin, apo të shtojë edhe numrin e administruesve në teknologjinë e informacionit që sistemi të jetë efikas dhe pa pengesa.

PS-ja ka kërkuar që në digjitalizim të përfshihen dhe studentët e viteve tjera më të larta për të shmangur në përgjithësi metodologjinë e vjetër të punës në këtë universitet, atë të pritjes në radhë të gjata para sporteleve për të paraqitur provimet.(zeri)

 

 
 
 
 

Punuar nga: Selim Kukaj - [VM] VisualMutation.Com