Home » Lajme » Kosova »

Thaçi: Kriteret teknike të KE-së do të përmbushen në afatin rekord


 

Prishtinë, 10 tetor – Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar dy projektligje dhe vendime tjera nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.Kryeministri Thaçi ka hapur mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar duke vlerësuar si një ditë të veçantë  publikimin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian.

“Viti 2012 ka qenë viti i suksesit dhe i konkretizimit të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës dhe fillimit të zyrtarizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri dhe ka theksuar se “Republika e Kosovës tani do të jetë partner i barabartë me Bashkimin Evropian sikur të gjitha vendet tjera të rajonit”.

“Progresi i arritur politik, ekonomik dhe institucional, gjatë viteve të kaluara, është evidentuar pa asnjë përjashtim në të gjitha fushat e Studimit të Fizibilitetit. Ky hap përfaqëson kurorëzim dhe njohje të një pune të gjatë dhe kolosale, ekipore të të gjitha partive politike dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas tij, “nga këndvështrimi teknik mbesin edhe disa detyra afatshkurta për t’i plotësuar nga institucionet” e vendit. “Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha ku duhet të shënohet progres i menjëhershëm, me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia”, ka thënë kreu i qeverisë.

Thaçi ka shprehur qëndrimin se kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord. “Ftoj të gjithë ministrat që të rrisin përkushtimin në punë, me të gjithë stafin, në kuadër të dikastereve, pasi që çfarëdo vonese eventuale në kuadër të procesit të integrimit evropian do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në vlerësimin e punës suaj si ministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, i ka paparalajmëruar shefi i kabinetit qeveritar ministrat e tij.

Sipas kumtesës nga ky takim, qeveria ka miratuar sot Projektligjin për Investimet e Huaja, i cili rregullon mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe Projektligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, me të cilin rregullohen parimet e përgjithshme për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rreziqeve të aksidenteve, informimit, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përpjesëtimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajtimin e të punësuarve dhe udhëzimeve për zbatimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2012. Në Planin e Dokumenteve Strategjike për vitin 2012 do të përfshihen edhe këto dokumente strategjike:

1.1   Strategjia për decentralizimin e Shërbimeve Sociale 2013-2017;

1.2   Strategjia e Rishikuar e Energjisë 2013-2022;

1.3   Plani i Zbatimit te Strategjisë Minerare 2012-2014;

1.4   Strategjia për kalim në Transmetim Digjital në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka miratuar sot edhe vendimin për emërimin e anëtarëve në Komisionin për Vlerësimin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale në këtë përbërje:

Adnan Bozalija, Blerim Kamberi, Branislav Kostiq, Hilmi Islami, Rrahman Ferizi, Bujar Rexhaj dhe Dashnor Nebiu.

 
 

 
 
 
 

Punuar nga: Selim Kukaj - [VM] VisualMutation.Com